Fundjava për shumë qytetarë, është momenti ideal për të kaluar kohë me familjen ose miqtë në plazh. Por rrugët e vendit, veçanërisht në këtë periudhë vere, po përballen me trafik të rënduar. E njëjta situatë u regjistrua edhe sot në Lushnjë, ku dhjetëra automjete mbetën të bllokuara për minuta të tëra, duke lëvizur me shpejtësi minimale.
Megjithatë, jo të gjithë shoferët i respektojnë radhët në trafik. Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë tonë, një automjet me targa të Ministrisë së Brendshme (MB 436 AA), në të cilin udhëtonte një çift i ri me kapele plazhi, ndezi fenelinat dhe kaloi me shpejtësi mes dy kolonave të makinave të bllokuara, duke hapur rrugë vetëm për veten.
“Desh na nxorrën nga rruga”, shkruan denoncuesja. Nuk dihet nëse zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të veshur me kapele plazhi kishin ndonjë urgjencë që nuk i priste, apo kishte diçka tjetër që nuk ka të bëjë fare me punën e tyre, por kjo situatë ka frikësuar dhe irrituar qytetarët të cilët po prisnin në trafik.
Denocimi i plotë:
“Prsh JOQ, kjo eshte makina e ministrise se brendshme qe desh na nxori nga rruga sot. Nje cift i ri me kapele plazhi dhe fenelina ndezur duan qe te gjithe tu hapin rrugen. Lushnje Pa vajtur ne fshatin dushk.”