Pavarësisht ndalimit me ligj të shitjes së cigareve elektronike dhe vape-ve për të miturit nën moshën 18 vjeç, shumë dyqane, kioska dhe tabachino vazhdojnë t’u shesin këto produkte fëmijëve dhe adoleshentëve.
Një qytetar i shqetësuar nga ky fenomen ka ngritur zërin përmes një denoncimi publik, duke treguar se vëllezërit e tij të mitur, 11 dhe 14-vjeç, arrijnë të blejnë pa asnjë pengesë cigare elektronike në zona të ndryshme të Fushë-Krujës.
Ai thekson se në shumë raste, edhe pse në paketim shkruhet qartë që produkti është i ndaluar për personat nën 18 vjeç, shitësit ua shesin kujt munden, pa menduar fare për ligjin apo pasojat.
Edhe pse shumë prej këtyre vape-ve reklamohen si "pa nikotinë", ekspertët e shëndetit publik theksojnë se përdorimi i tyre nga fëmijët dhe adoleshentët mbetet shqetësues. Aromat e ndryshme dhe paketimet tërheqëse e bëjnë këtë produkt veçanërisht joshës për moshat e reja, duke krijuar varësi psikologjike dhe normalizuar aktin e "pirjes". Për më tepër, nuk ka garanci për përbërjen e këtyre produkteve, pasi shumë prej tyre importohen pa kontroll të rreptë cilësor, duke rritur rrezikun për shëndetin e përdoruesve.
Autoritetet përgjegjëse duhet të marrin masa për të ndalur këtë praktikë të rrezikshme që po përhapet me shpejtësi dhe po cenon shëndetin e të rinjve.
Denoncimi i qytetarit:
Mirmbrëma! Kam një ankes vellezerit e mi njëri 11 vjeç dhe tjetri 14 u bë disa her që i kap me pufa ose cigare elektronike por më e bukura si ka mundësi që tabachino ja shesin kltyre të miturve. Doja të bëja një ankes nëse ësht e mundur që të bëni diçka sepse të gjitha cigaret e tyre shkruanin +18 dhe fëmijët kan filluar të japin shenha shqetësuese