Një ngjarje e rrallë ka ndodhur në botën e faunës shqiptare: flamingot kanë folezuar për herë të parë në Shqipëri, pikërisht në Lagunën e Nartës.
Lajmin e ka bërë të ditur Xhemal Xherri, menaxher i projektit për mbrojtjen e shpendëve të egër, gjatë një lidhjeje me ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv. Ai tha se në këtë zonë janë identifikuar mbi 280 fole aktive të flamingove.
“Prej disa vitesh kemi monitoruar me kujdes këtë specie, por këtë vit kemi pasur fatin e madh t’i shohim duke folezuar në Nartë. Procesi është drejt përfundimit dhe pritet që brenda dy javësh zogjtë të çelin. Ky është një numër i madh foleve, ndoshta më i madhi në Ballkan, pasi edhe në Greqi ka, por shumë më pak,” – u shpreh Xherri.
Megjithatë, ky sukses ekologjik rrezikon të mos zgjasë. Xherri paralajmëroi se ndërtimi i Aeroportit të Vlorës pranë zonës mund të shkaktojë largimin e flamingove për shkak të ndotjes akustike dhe shqetësimeve gjatë folezimit.
“Një ndërhyrje pranë foleve mund t’i detyrojë të largohen dhe të mos kthehen më. Aeroporti do ta bëjë të pamundur procesin dhe mund të sjellë zhdukjen e tyre nga kjo zonë, pasi nuk do të përballojnë dot zhurmat,” – shtoi ai.
Lugina e Nartës është një nga habitatet më të rëndësishme të shpendëve të rrallë në Shqipëri, dhe kjo folezim historik është një tregues i rëndësisë së saj për biodiversitetin e vendit.