Në vitin 2025, Spitali Rajonal i Durrësit ndodhet në një gjendje alarmante, ku pacientët dhe stafi mjekësor përballen çdo ditë me kushte të papranueshme. Muret e godinës janë të plasaritura, me suva të rënë dhe lagështi të dukshme, ndërsa në shumë pavione mungon uji i rrjedhshëm një domosdoshmëri bazë për çdo institucion shëndetësor.
Një qytetar ka dërguar video në redaksi për të dëshmuar gjendjen e degraduar të spitalit të Durrësit. Në vend që të jetë një vend shërimi, spitali po kthehet në një hapësirë të rrezikshme për pacientët. Megjithë premtimet e përsëritura për “modernizim të shëndetësisë”, qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga ministrja Albana Koçiu, duket se e kanë lënë sistemin në mëshirë të fatit.
Investimet mungojnë, ndërsa kushtet e spitaleve rajonale, përfshirë edhe atë të Durrësit qyteti i dytë më i madh në vend janë degraduar në mënyrë të ndjeshme. Asgjë nuk justifikon që në vitin 2025, pacientët të kurohen në dhoma ku nuk ka as ujë për të larë duart. Ministria e Shëndetësisë, bashkia Durrës dhe qeveria reklamojnë vetëm propagandë, por realiteti flet qartë.
Banorët e qytetit shprehen të zhgënjyer nga mungesa e përkujdesjes për shëndetin publik, ndërkohë që fondet publike përdoren për fasada apo projekte luksi në sektorë të tjerë. Të gjitha këto, në një shtet që pretendon të jetë modern, janë një pasqyrë e qartë e dështimit të institucioneve për të mbrojtur të drejtën më bazë të qytetarit, kujdesin shëndetësor.