Sipas medias italiane Il Messaggero, duke cituar The Guardian, vajza e Presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, kanë investuar mbi 1 miliard dollarë për të blerë ishullin e Sazanit në Shqipëri. Ishulli, i njohur për të kaluarën si bazë ushtarake dhe pjesë e Parkut Kombëtar Karaburun-Sazan, pritet të kthehet në një resort luksoz, por përballë projektit qëndron një sfidë madhore, pastrimi i zonës nga minat e pashpërthyera.
Megjithëse projekti është përshkruar si një investim gjigant që mund të sjellë zhvillim dhe turizëm elitar në rajon, ai është shoqëruar me shqetësime dhe kritika. Grupi ambientalistësh dhe komuniteti shkencor kanë shprehur dyshimet e tyre për ndikimin që ky zhvillim mund të ketë mbi natyrën dhe trashëgiminë e zonës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ekosistemit të mbrojtur dhe historisë ushtarake që ishulli mbart.
Negociatat për marrëveshjen, sipas Il Messaggero, janë bërë pa transparencë të plotë ndaj publikut dhe autoriteteve shqiptare, çka ka shtuar më tej debatet. Megjithatë, projekti duket se ka mbështetjen e Donald Trump, i cili e ka quajtur iniciativën “të jashtëzakonshme”. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse vizioni i një “Ishulli Trump” do të bëhet realitet pa cenuar trashëgiminë dhe sigurinë e zonës.