Përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA), si ChatGPT apo mjete të ngjashme, po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në shkolla dhe vende pune. Ajo na ndihmon të shkruajmë më shpejt, të zgjidhim probleme apo të kursejmë kohë, por disa studime të fundit tregojnë se kjo lehtësi mund të ketë pasoja.
Studiues nga MIT dhe kompani të mëdha si Microsoft kanë zbuluar se kur njerëzit përdorin shumë IA, ata përpiqen më pak me mendjen e tyre dhe tregojnë më pak kreativitet dhe përqendrim. Në vend që të mendojmë vetë, ia lëmë punën trurit të kompjuterit, dhe me kalimin e kohës truri ynë dembeloset.
Sipas The Economist sa më shumë t’i besojmë IA-së për të menduar në vendin tonë, aq më pak e stërvitim trurin. Kjo mund të bëjë që të humbasim aftësinë për të menduar thellë, për të zgjidhur probleme apo për të qenë krijues. Disa ekspertë madje paralajmërojnë se kjo varësi mund të na bëjë më pak të aftë në jetë dhe në punë.
Ekspertët thonë se ajo mund të jetë shumë e dobishme, nëse përdoret me kujdes dhe jo si rrugë e shkurtër për të shmangur të menduarit. Më mirë ta shohim si një ndihmës, që na jep ide ose na shtyn të mendojmë më mirë jo si dikë që i bëjmë detyrat. Në fund të fundit, truri është si muskujt nëse nuk e ushtron, dobësohet.