Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ndarë një ngjarje dramatike që ndodhi këtë të shtunë pasdite në plazhin e Velipojës. Ajo tregon se një e afërme e saj rrezikoi të mbytej pasi kishte kaluar kufirin e sigurisë në det mbi një dyshek ajri dhe kishte filluar të fundosej.
Sipas dëshmisë së saj, jeta e gruas u shpëtua falë ndërhyrjes së tre personave, dy vajza të reja dhe një burrë, të cilët, duke u ndodhur rastësisht aty pranë, hynë menjëherë në ujë dhe e nxorën në breg.
“Dua t’i falënderoj publikisht nga thellësia e zemrës dy vajzat dhe atë burrin që i erdhën në ndihmë. Nëse do të pritej ndërhyrja e rojeve të plazhit, ajo do ishte mbytur”, – shprehet qytetarja, e cila shton se për shkak të tronditjes nuk arriti t’i falënderonte në moment.
Ajo nuk ngurron të denoncojë edhe mungesën totale të rojeve të plazhit në zonë:
“Që kur kam ardhur për pushime këtu, asnjë roje plazhi nuk kam parë me sy. Çdo ditë ndihemi më të pasigurt në vendin tonë.”
Ngjarja ngre sërish shqetësimin për mungesën e masave të sigurisë në plazhet shqiptare dhe rrezikun që kjo neglizhencë sjell për pushuesit.