Prej më shumë se një jave, aksin Lezhë-Milot e ka mbërthyer një situatë e rënduar trafiku, duke detyruar qytetarët të presin për orë të tëra të bllokuar në mjete.
Denoncime të shumta kanë mbërritur çdo ditë në redaksinë e JOQ Albania, ku drejtuesit e mjeteve shprehen të frustruar nga mungesa totale e ndërhyrjes së Policisë dhe autoriteteve për lehtësimin e qarkullimit.
Ky segment rrugor është një pikë kyçe, pasi lidh Lezhën me Shkodrën dhe shërben si hyrje për qytetarët që vijnë nga Miloti, Kosova apo autostrada e Laçit. Sipas denoncuesve, trafiku është i pandërprerë dhe shpesh detyrohen të fikin makinat për të kursyer karburantin, ndërsa qëndrojnë me orë në pisk të vapës së gushtit.
“O JOQ, veç juve ju kemi. Ja çfarë behet në aksin Lezhë-Milot. Kemi më shumë se dy orë e gjysmë në trafik dhe asnjë lloj mase nuk është marrë nga policia. Shpesh herë i fikim makinat. Nuk e di si do ja bëjmë”, shprehet një qytetar në videon e dërguar ku shihet qartë bllokada kilometrike.