Daily Mail ‘skanon’ grupin Hellbanianz: Nga një lagje komunale në lindje të Londrës, drejt shkëlqimit të Dubait

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.08.2025, 17:27

Nga rrugicat gri të Gascoigne Estate në lindje të Londrës deri tek apartamentet me pamje nga Burj Khalifa, rrugëtimi i grupit kriminal shqiptar Hellbanianz është një histori që përzien dhunë, pasuri të dyshimtë dhe një imazh publik të ndërtuar mbi arrogancën e rrjeteve sociale. Media britanike Daily Mail e përshkruan si një kalim nga lagjet komunale në shkëlqimin e Dubait larg syve të policisë britanike, por jo larg vëmendjes.

Për vite me radhë, Hellbanianz kontrolluan territorin e tyre në Barking, shpërndanë kokainë dhe rekrutuan të rinj shqiptarë, duke krijuar një emër të frikshëm. Por pas prishjes së shumicës së ndërtesave në Gascoigne Estate, si pjesë e një projekti rehabilitimi urban, ndikimi i tyre në zonë u dobësua. Udhëheqësi Ervin Selita, i njohur si “Vinz”, pas një periudhe burgimi në Shqipëri për tentativë vrasjeje në Tiranë në vitin 2022, u lirua në korrik 2023 dhe brenda pak muajsh u zhvendos në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke ndjekur gjurmët e bashkëpunëtorëve të tij.

Në Dubai, imazhi i grupit ka marrë një dimension të ri: makina “Rolls Royce”, festa në shkretëtirë, darka luksoze dhe video në TikTok me etiketa si “#DubaiSettings” apo “life style like Arab”. Në një foto, Selita dhe bashkëpunëtori “Diablo” pozojnë me 'rrokaqiejt' në sfond; në një tjetër, anëtarë të grupit, me fytyrat e mbuluara me keffiyeh, udhëtojnë mbi buggy në mes të rërës. Përmes kësaj “propagande kriminale” në rrjete sociale, ata vazhdojnë të frymëzojnë të rinj shqiptarë që e shohin krimin si rrugë drejt pasurisë.

Hellbanianz nisi si grup muzikor në fillim të viteve 2000, por shpejt u shndërrua në një organizatë kriminale me moton “We are God of the Streets”. Muzika shërbeu si mjet rekrutimi dhe glorifikim i jetës së rrugës. Përplasja e armatosur në Trafalgar Square në 2011 me bandën rivale OTR, arrestimet dhe dënimet e rënda për anëtarë si “Skilla” dhe “Gucci” nuk ia kanë zbehur ndikimin. Në Barking, simbolet e tyre ende qarkullojnë nga targat e makinave me mesazhe për lirimin e të burgosurve, tek postimet sfiduese në rrjet.

Dubai ndërkohë është kthyer në strehë për trafikantët ndërkombëtarë falë investimeve të leverdishme për pasuri të paluajtshme, vizave të arta dhe distancës nga ligjet britanike. Sipas burimeve të Daily Mail, drejtues si Selita menaxhojnë aktivitetet nga larg, krijojnë aleanca të reja me trafikantë të fuqishëm dhe përdorin bizneset fiktive, industrinë e luksit dhe tregun e arit për të pastruar para. Në këtë realitet, rrugët nga Barking mund të të çojnë jo vetëm drejt botës së krimit, por edhe drejt një “oazi” ku ligji nuk arrin dot lehtë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit