Turqia ka bërë një apel të ashpër për unitet të vendeve myslimane kundër planit të Izraelit për të marrë nën kontroll Qytetin e Gazës. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në El Alamein me homologun egjiptian Badr Abdelatty, pas takimeve edhe me presidentin e Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi, paralajmëroi se zhvillimet në terren përbëjnë një kërcënim serioz jo vetëm për palestinezët, por për gjithë rajonin.
Sipas Fidanit, politika e Izraelit ka për qëllim të detyrojë palestinezët të largohen nga trojet e tyre përmes urisë dhe të pushtojë përgjithmonë Gazën. Ai theksoi se Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) është thirrur në një mbledhje urgjente dhe se vendet myslimane nuk kanë më asnjë arsye për të vijuar mbështetjen ndaj Izraelit.
Ankaraja e ka cilësuar këtë plan si pjesë të një politike “gjenocidale dhe ekspansioniste”, ndërsa Egjipti e ka quajtur atë “të papranueshëm”. Në një deklaratë të përbashkët, Komiteti Ministror i OIC paralajmëroi se plani përbën “një përshkallëzim të rrezikshëm, një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të forcuar pushtimin e paligjshëm”.
OIC i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fuqive botërore që të ndërhyjnë menjëherë për ta ndaluar planin, duke siguruar mbrojtjen e popullit palestinez dhe ndalimin e çdo shkeljeje të mëtejshme të ligjit ndërkombëtar.
Ndërkohë, Egjipti, Katari dhe SHBA vijojnë përpjekjet ndërmjetësuese për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, por pa një marrëveshje konkrete deri tani.