Një aksident i pazakontë ka ndodhur ditën e sotme në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër, pranë fshatit Bistricë, ku një automjet tip “Opel”, me targë AA459GJ, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në kolektorin e ujërave.
Sipas dëshmitarëve, një prej kalimtarëve, Vasil Koto Xhamiha, ka reaguar me shpejtësi dhe është hedhur në ujë për të shpëtuar drejtuesin e mjetit. Mësohet se ai ka lënë kafen që po pinte dhe pa hezitim ka ndërhyrë, duke i dhënë 80-vjeçarit frymëmarrje artificiale. Fillimisht i moshuari nuk ka reaguar, por pas ndihmës së dhënë ka shfaqur shenja jete.
Drejtuesi i mjetit, i identifikuar si Vasillaq Gjini, është transportuar menjëherë në Spitalin e Sarandës, ku pas ndërhyrjes mjekësore është bërë e ditur se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, analizat e kryera kanë zbuluar se 80-vjeçari drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit, çka dyshohet të ketë qenë edhe shkaku i humbjes së kontrollit. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e banorëve, si për aktin heroik të shpëtimit, ashtu edhe për rrezikun e drejtimit të automjetit në gjendje të dehur.