Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pas një ndjekjeje të rrezikshme që zgjati mbi 60 kilometra në rrugët e Ternit dhe Rietit. Ngjarja ndodhi pasditen e 8 gushtit, kur policia urdhëroi ndalimin e makinës së tij, por shoferi refuzoi të ndalonte dhe nisi një arratisje me shpejtësi skëterrë, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe oficerëve të përfshirë në ndjekje.
Gjatë arratisë, shqiptari përplasi makinën e tij me një tjetër automjet në Via Lucania, si pasojë e një parakalimi në drejtim të gabuar. Për fat të mirë, nga aksidenti nuk pati lëndime serioze. Ai u ndalua në dalje të Contigliano-s, pasi humbi kontrollin në një kthesë dhe u arrestua nga disa forca patrulle që ishin angazhuar në ndjekje.
Pasi u shoqërua në komisariat, u krye një kontroll personal dhe i automjetit, i cili rezultoi i marrë me qira nga një kompani në Italinë Veriore. Në makinë nuk u gjetën substanca të dyshuara, por ajo u sekuestrua. Shqiptari u arrestua me akuza për rezistencë ndaj autoriteteve dhe drejtim të rrezikshëm, ndërsa gjykata urdhëroi largimin e tij nga qyteti i Ternit dhe njoftoi se do të procedohet për dëbim nga Italia.