Të huajt “pushtojnë” tregun e pronave në Shqipëri, çmimet shkojnë në stratosferë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.08.2025, 15:42

Në pesë vitet e fundit, rreth 25% e pronave në Shqipëri janë blerë nga shtetas të huaj, që vijnë nga Italia, vendet skandinave e deri përtej oqeanit. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se brenda një dekade, blerjet e të huajve kanë arritur vlerën e 1.6 miliardë eurove, duke treguar një interes të lartë për pasuritë shqiptare.

Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme theksojnë se Tirana mbetet destinacioni kryesor për investime, ndërsa zonat bregdetare të vendit preferohen për të banuar. Ndërsa shumë prisnin që çmimet të pësojnë një tkurrje, realiteti tregon se trendi i rritjes së tyre vazhdon pa ndalur.

Një nga arsyet kryesore të këtij fenomeni është blerja e apartamenteve nga të huajt, të cilët zakonisht nuk negociojnë çmimin. Kjo ka bërë që vlera e pronave të kapërcejë kufij stratosferikë, sidomos në kryeqytet ku çmimet variojnë nga 1000 euro për metër katror në periferinë e Tiranës deri në 5000 euro në zonat më të kërkuara të qendrës.

Sipas ekspertëve, nuk pritet që shtrenjtimi të ndalet në këtë nivel. Vlera e re e referencës për çmimet në të gjithë Shqipërinë do të sjellë një tjetër valë rritjesh të çmimeve, veçanërisht në qytetet bregdetare. Parashikohet që çmimet mesatare për metër katror të rriten në mënyrë dramatike: 52% në Kavajë, 61% në Durrës, 86% në Sarandë, 88% në Vlorë dhe deri në 111% në Himarë.

Kjo situatë e vështirëson dukshëm mundësinë e blerjes së një banese për qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë të pamundur të përballojnë kostot, qoftë me kursime apo kredi bankare.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri duket se po shndërrohet në një arenë ku përfitues janë kryesisht blerësit e huaj, duke sfiduar realitetin e familjeve vendase për të siguruar strehim në vendin e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit