Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Bogdan të Beratit, ku një 57-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një plumbi të shkrepur aksidentalisht nga bashkëfshatari i tij.
Viktima Adriatik Toska, ndodhej në arat e fshatit bashkë me Dhimitër Kuqin, për të ruajtur tokat e mbjella me misër nga sulmet e kafshëve të egra.
Sipas informacioneve paraprake, Dhimitër Kuqi ka ndjerë lëvizje mes të mbjellave dhe, duke menduar se bëhej fjalë për derra të egër, ka qëlluar me armën e gjahut që mbante me vete.
Fatkeqësisht, plumbat kanë kapur Adriatik Toskën, i cili është plagosur rëndë.
Megjithëse i është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe është transportuar me urgjencë në spital, 57-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në duart e mjekëve.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit, ndërkohë që autori i dyshuar është shoqëruar për në komisariat.