Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, numri i nxënësve të regjistruar në sistemin arsimor në Shqipëri për vitin shkollor 2024–2025 ka rënë me 1.5%, duke zbritur në 528,602 nga 536,780 që ishte një vit më parë. Rënia më e theksuar është regjistruar në arsimin 9-vjeçar, ku numri i nxënësve ka pësuar një tkurrje me mbi 7,400 nxënës, ose -3% krahasuar me vitin 2023–2024.
Në arsimin fillor (klasat I–V), janë regjistruar 136,379 nxënës, nga 141,089 një vit më parë, që përbën një rënie prej rreth 4,700 nxënësish ose -3%. Ndërkohë, në ciklin e lartë të arsimit bazë (klasat VI–IX), numri i nxënësve ka rënë nga 116,983 në 114,238, duke shënuar një rënie prej 2%. Në total, arsimi 9-vjeçar ka humbur mbi 7,400 nxënës brenda një viti shkollor, sipas INSTAT, duke u bërë segmenti më i goditur nga rënia demografike.
Këto shifra konfirmojnë një trend shqetësues të rënies së popullsisë në moshë shkollore, që po ndikon drejtpërdrejt në numrin e regjistrimeve në arsim. INSTAT thekson se kjo prirje e vazhdueshme kërkon ndërhyrje dhe reforma të menjëhershme për të përshtatur sistemin arsimor ndaj realiteteve të reja demografike.
Kjo është prova më e qartë e krizës së thellë demografike që po përplaset me forcë mbi sistemin arsimor publik një krizë për të cilën qeveria dhe Ministria e Arsimit, drejtuar nga Ogerta Manastirliu, vijojnë të mbajnë një qëndrim të heshtur e të papërgjegjshëm. Ndërsa numri i fëmijëve në moshë shkollore bie vit pas viti, nuk ka asnjë strategji të qartë për t’u përballur me pasojat afatgjata që kjo rënie do të sjellë në cilësinë, mbulimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit arsimor.
Përballë kësaj panorame alarmante, autoritetet duket se kanë zgjedhur të merren me statistika të bukura në letër dhe propagandë, në vend që të ndërmarrin reforma të vërteta që adresojnë shkaqet e braktisjes së vendit nga të rinjtë dhe mungesën e incentivave për të lindur fëmijë. Pa një vizion të qartë dhe masa konkrete, shkollat do të vijojnë të boshatisen jo për mungesë infrastrukture, por për mungesë fëmijësh.