Një ngjarje tragjike me përmasa kombëtare ka tronditur Italinë pas vdekjes së dy personave dhe shtrimit në spital të nëntë të tjerëve, të dyshuar si viktima të helmimit me botulizëm, të shkaktuar nga konsumimi i brokolit nga një shitës ambulant në Diamante, Kalabri.
Mes viktimave është Luigi Di Sarno, 52 vjeç, një artist rruge nga Cercola (Napoli), i cili vdiq gjatë rrugës për në spitalin e Lagonegros, pasi kishte konsumuar një sanduiç me brokoli. Rasti i dytë është ai i një gruaja 45-vjeçare nga Praia a Mare, e cila gjithashtu kishte konsumuar ushqim nga i njëjti furgon dhe ndërroi jetë disa ditë më parë.
Prokuroria ka urdhëruar zhvarrimin e trupit të saj për autopsi, pas dyshimeve të ngritura nga familjarët.
Produktet e dyshuara janë sekuestruar në shkallë kombëtare, ndërsa po kryhen kontrolle të gjera nga Prokuroria e Kozencës dhe Njësia për Sigurinë Ushqimore (NAS), për të tërhequr nga tregu të gjitha kavanozët me brokoli në vaj që mund të jenë kontaminuar me toksinën botulinum, një nga substancat më vdekjeprurëse në botë.
Shitësi ambulant, nga i cili dyshohet se është blerë produkti, është nën hetim, ashtu si edhe zinxhiri i furnizimit që mund të ketë sjellë produktin në treg. Furgoni i tij është sekuestruar, pasi dyshohet se qëndrimi i gjatë nën rrezet e diellit mund të ketë favorizuar zhvillimin e baktereve të rrezikshme, për shkak të mungesës së kushteve të duhura të ruajtjes.
Autoritetet shëndetësore kanë ngritur alarmin në shkallë kombëtare, duke aktivizuar qendrat e kontrollit të helmimevedhe shpërndarjen urgjente të serumit antihelmues nga Farmacia Ushtarake e Tarantos dhe Qendra Kombëtare për Botulizmin në Pavia.
Aktualisht, rezervat e serumit janë vendosur në Spitalin "Annunziata" të Kozencës, për të përballuar rastet në rritje.
Ndërkohë, Prokuroria po shqyrton edhe përgjegjësitë e mundshme mjekësore, pasi në të dy rastet viktimat kishin kërkuar ndihmë në një klinikë private në Belvedere Marittimo, por simptomat e tyre nuk ishin identifikuar si helmim me botulizëm në kohën e duhur.
Ngjarja në Kalabri vjen vetëm pak ditë pas një tjetër rasti tragjik në Cagliari, ku një grua 38-vjeçare, Roberta Pitzalis, humbi jetën pas një festivali ushqimor në Sardenjë, ku dyshohet se konsumoi salcë guacamole të kontaminuar. Edhe atje janë shtruar tetë persona.
Prokuroria ka bërë thirrje që çdo qytetar që ka konsumuar ushqim nga shitës ambulantë në zonën e Diamantes të kontaktojë menjëherë autoritetet shëndetësore.