Godina ku operon televizioni News24 dhe disa media të tjera të njohura si Panorama, BalkanWebdhe Gazeta Shqiptare, është rrethuar mëngjesin e sotëm nga dhjetëra forca policie.
Raportohet se punonjësve të mediave u është ndaluar hyrja në ambientet e redaksive, duke penguar në mënyrë direkte ushtrimin e aktivitetit të tyre profesional.
Gjithashtu, është ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike, çka ka paralizuar punën në redaksi dhe ndalimin e transmetimit.
Në qendër të këtij zhvillimi qëndron kalimi i pronësisë së godinës te kompania shtetërore ‘KAYO’, e krijuar me vendim të Qeverisë për të operuar në fushën e prodhimit dhe tregtimit të armëve. Burime pranë News24 pohojnë se ambientet janë përdorur nga mediat për mbi dy dekada, bazuar në marrëveshje me qeveritë e mëparshme.
Operacioni, i drejtuar nga Ardi Veliu, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe aktualisht drejtues i shoqërisë KAYO, synon të marrë në zotërim ambientet që dikur ishin pjesë e ish-Uzinës së Autotraktorëve – aktualisht të transformuara në hapësira mediatike funksionale.