Prej 13 muajsh, Afrim Ismaili nga Kosova është i paralizuar dhe i mbërthyer në një karrocë me rrota, pas diagnostikimit me tumor në shtyllën kurrizore. Një baba, një punëtor i ndershëm, një njeri i zakonshëm që u përball papritur me një tragjedi që i përmbysi jetën. Por dhimbja më e madhe për të nuk është paraliza, është frika se pas vdekjes, djali dhe gruaja e tij do të mbeten të pastrehë dhe pa mbështetje.
Në një apel rrëqethës që ka prekur mijëra zemra, Afrimi tregon sesi sëmundja i mori gjithçka: shëndetin, punën, paqen, lirinë për të qenë baba. Por ajo që i dhimbset më shumë është djali i tij 15-vjeçar, Krenari, një kampion i Kosovës në karate për të rinj, që çdo ditë e shtyn me përkushtim në karrocë rrugëve të qytetit, pa u ankuar kurrë.
“E ka emrin Krenar dhe ashtu është, krenaria ime dhe e krejt Shqiptarisë. Por unë e ndjej që zemra i dhemb,” shkruan Afrimi. Ai rrëfen sesi i biri, i gatshëm të heqë dorë nga ëndrra për të ndjekur karrierën në karate, ngul këmbë që kursimet të shkojnë për ilaçet e të atit.
“Po të mos ishte për trajnerin e mrekullueshëm që i mbulon shpenzimet e stërvitjes, ai do të ndalonte gjithçka,” – rrëfen babai me sytë nga një e ardhme që po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.
Përtej dhimbjeve fizike dhe gjendjes së rëndë emocionale, ajo që e bren më shumë shpirtin është frika që pas ndarjes nga jeta, familja e tij të mbetet rrugëve, pa asgjë. “Kam jetuar gjithë jetën me qera, duke bredhur me plaçka në krah. Jam i pafuqishëm, nuk më ka ngelur më asgjë veç lutjeve,” thotë Afrimi.
Për këtë arsye, Fondacioni Firdeus ka marrë përsipër të ndërmarrë një nismë për t'ia plotësuar ëndrrën këtij babai të përvuajtur. Dëshira e tij është: të sigurohet një dhomë, një strehë modeste për djalin dhe gruan që të mos mbeten në rrugë dhe Krenari të mos braktisë ëndrrën e tij sportive.
Fondacioni Firdeus ka hapur një fushatë GoFundMe për të mbledhur fondet e nevojshme për të blerë një strehë për familjen Krasniqi. Thirrja është për çdo njeri të mirë që ka mundësi të japë sadopak, të shpërndajë apelin ose të jetë pjesë e një zinxhiri solidariteti që mund të ndryshojë rrjedhën e një jete.
“Ju lutem, ndihmoni që djali im të ketë një banesë të tijën, vetëm një dhomë të vogël që të mos endet rrugëve dhe të vazhdojë pa frikë ëndrrën e tij,” përfundon apelin e tij Afrimi.
Ky është rasti kur një kontribut i vogël mund të bëjë një mrekulli të madhe.