Një tjetër skandal i madh ka dalë në dritë në lidhje me kompaninë ajrore Air Albania, që dikur u promovua me bujë nga kryeministri Edi Rama si "suksesi kombëtar" në fushën e aviacionit. Një ish-punonjëse e kompanisë ka bërë një denoncim të fortë në redaksinë e JOQ Albania, duke zbuluar shkelje të rënda të të drejtave të punës dhe trajtim çnjerëzor nga menaxhmenti.
Sipas dëshmisë së saj, gjatë vitit të fundit të punës ka përjetuar vonesa të vazhdueshme në pagesën e rrogave, çka i ka sjellë pasiguri ekonomike dhe stres të përhershëm. Ajo shprehet se për më shumë se 9 muaj nuk janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke e lënë të pambrojtur për shërbime mjekësore apo të drejtë pensioni, në kundërshtim të plotë me ligjet shqiptare.
Më tej, ish-punonjësja thekson se është përballur me dhunë psikologjike sistematike dhe kërcënime gjatë punës, që kanë ndikuar rëndë në mirëqenien e saj mendore. Ajo shton gjithashtu se Air Albania ka refuzuar t’i japë orët e fluturimit, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin profesional të stjuardesave dhe kërkohen nga autoritetet europiane të aviacionit.
Krahas kësaj dëshmie, edhe një tjetër ish-punonjës i Air Albania, tekniku turk i avionëve Ali Osman Yildirim, ka dhënë dorëheqjen dhe ka publikuar një deklaratë publike ku denoncon se nuk ka marrë ende pagesat që i takojnë për muajin shkurt dhe shpërblimet shtesë. Ai thekson se nuk po kërkon nder, por atë që i takon me të drejtë. Në reagimin e tij, Yildirim thotë se ka punuar me pasion dhe ndershmëri për të rritur performancën e kompanisë, por është zhgënjyer thellë nga mënyra si është trajtuar. “Trajtimi që u bëni ish-punonjësve flet më shumë se çdo fushatë PR,” shkruan ai.
Një tjetër element që rëndon situatën është edhe letra publike që një grup punonjësish ia ka drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Ekonomisë Petrit Malaj dhe Drejtorisë së Aviacionit Civil. Në këtë deklaratë, ngrihen akuza serioze për gjendjen e brendshme të kompanisë, shkeljet sistematike të të drejtave të punonjësve dhe më alarmantja, cenimi i sigurisë së fluturimeve.
Punonjësit denoncojnë se për më shumë se 11 muaj nuk janë derdhur sigurimet shoqërore, edhe pse janë mbajtur nga pagat. Disa prej tyre nuk kanë marrë rrogat për 2 deri në 3 muaj, janë larguar nga puna në mënyrë të padrejtë, pa paralajmërim, dhe janë vënë nën presion të vazhdueshëm psikologjik për të dhënë dorëheqje.
Alarmin më të madh e ngre situata me sigurinë e fluturimeve. Sipas tyre, mungesa e personelit të kualifikuar, lodhja ekstreme e stafit ekzistues dhe mosrespektimi i protokolleve të sigurisë kanë krijuar kushte që mund të çojnë në pasoja të rënda për pasagjerët dhe vetë punonjësit.
Në deklaratë përmendet një listë e gjatë teknikësh, pilotësh dhe pjesëtarësh të ekuipazhit të kabinës që janë larguar ose detyruar të dorëhiqen, ndërkohë që disa prej tyre kanë nisur procese gjyqësore për të kërkuar të drejtat e tyre.
Në këtë krizë, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes as aksioneri shqiptar i kompanisë, Sinan Idrizi, i cilësuar si garantuesi i një kompanie pa transparencë, me borxhe të shumta dhe i lidhur ngushtë me pushtetin. Ndërsa punonjësit përballen me varfëri dhe pasiguri, Idrizi shfaqet nga SHBA-të për të shmangur përgjegjësinë publike, duke përdorur Air Albania si mjet personal dhe politik.
Redaksia e JOQ Albania konfirmon se disponon të gjitha provat që mbështesin këto denoncime, përfshirë korrespondencën e plotë elektronike, dokumentet e pagesave, kontratat e punës dhe dëshmi të tjera, të cilat nuk publikohen për arsye etike dhe ligjore, por do t’i vihen në dispozicion të institucioneve përkatëse në rast hetimi.



