Autoritetet spanjolle kanë vënë në pranga në Almuñécar të Granadës 34-vjeçarin Juxhin Drazhi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Arrestimi u krye pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës, Interpol Madridit dhe policisë spanjolle, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Sipas policisë, Drazhi ishte një nga figurat e përfshira në organizatën e drejtuar nga Elvis Doçi, e njohur si “Vis i Pojës”. Ai u lokalizua në një vilë luksoze të ndërtuar në terren të lartë, nga ku mund të kontrollonte zonën përreth. Shqiptari jetonte i izoluar, duke përdorur bashkëpunëtorët për të marrë gjithçka që i nevojitej, dhe lëvizte me eskortë të armatosur.
Gjatë arrestimit, ai tentoi t’i shpëtonte policisë duke u larguar me vrap nëpër shpatin e malit, por u kap nga oficerët që kishin rrethuar zonën. Në banesë u gjetën dokumente të falsifikuara, një orë luksoze dhe sende të tjera me vlerë, ndërsa pranë vendit ku u ndalua u sekuestrua një armë zjarri me dy karikatorë, fishekë dhe një silenciator.
Juxhin Drazhi rezulton i lidhur edhe me kompaninë “Majestic Konstruksion”, ndaj së cilës janë sekuestruar disa prona dhe njësi tregtare në Durrës. Hetimet tregojnë se pasuritë dyshohet të jenë përfituar nga aktiviteti kriminal i grupit të “Visit të Pojës”, i goditur më 21 maj në bashkëpunim me antimafian italiane, ku u ekzekutuan 52 masa sigurie dhe u sekuestruan pasuri me vlerë miliona euro.
Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet spanjolle për procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.