Si futej paraja e kokainës në Shqipëri: shoferët e autobusëve merrnin 2% për transportin “cash”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.08.2025, 19:51

Është zbardhur skema e transferimit të parave nga një nga organizatat më të fuqishme shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës, me lidhje nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Hetimet tregojnë se rrjeti kriminal, i drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Gergely alias Franc Çopja, përdorte dy metoda kryesore për të futur qindra milionë euro në Shqipëri duke shmangur gjurmimin financiar: transportin fizik të parave “cash” dhe sistemin informal të transfertave “hawala”.

Paratë e përfituara nga trafiku kalonin fshehurazi nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë përmes shoferëve shqiptarë të linjave ndërkombëtare të pasagjerëve. Këta shoferë, të përzgjedhur mbi bazën e besimit dhe me numër të kufizuar, përfitonin rreth 2% të shumës që transportonin si shpërblim për shërbimin dhe rrezikun e marrë përsipër. Kjo mënyrë u garantonte anëtarëve të grupit shmangien e sistemit bankar, evitimin e kontrolleve doganore dhe ruajtjen e anonimatit të fondeve.

Në të njëjtën kohë, organizata përdorte edhe rrjetin “hawala”, një sistem informal ku shumat e mëdha transferoheshin përmes një zinxhiri ndërmjetësish pa lënë gjurmë bankare. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve kanalizohej drejt Bolivisë, e cila shërbente si nyje strategjike për pastrimin e parave për shkak të kontrollit të ulët financiar.

Kombinimi i këtyre metodave i mundësonte grupit kriminal qarkullimin e vazhdueshëm të kapitalit në shkallë ndërkombëtare, duke minimizuar rrezikun e sekuestrimeve dhe duke siguruar vijimësinë e aktivitetit të tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit