Blerja e shtëpisë pritet të vështirësohet, bankat do shtrëngojnë kushtet për kreditë hipotekore

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.08.2025, 19:35

Marrja e një kredie për blerje banese pritet të bëhet më e vështirë në muajt në vijim, pasi Banka e Shqipërisë paralajmëron shtrëngim të kushteve nga sistemi bankar për individët. Në raportin e fundit mbi Aktivitetin Kreditues, theksohet se kërkesa për kredi hipotekore nga qytetarët pritet të bjerë, ndërsa bankat do aplikojnë politika më të rrepta miratimi.

Ndryshe nga individët, bizneset do të përfitojnë kushte më të lehta për të gjitha llojet e kredive. “Përqasja e bankave në kreditimin e bizneseve pritet të mbetet e njëjtë edhe në tremujorin e tretë, për të gjitha kategoritë dhe qëllimet e përdorimit. Në të kundërt, politikat e kreditimit priten të jenë shtrënguese për individët, kryesisht në segmentin e kredive për blerjen e banesave”, thuhet në raport.

Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, bankat mbajtën standarde të ngjashme për bizneset krahasuar me periudhën e mëparshme, ndërsa miratuan një numër më të lartë kredish për individët, falë vlerësimeve pozitive për cilësinë e kredimarrësve dhe historikun e tyre në tregun e punës.

Tashmë, ky trend pritet të ndryshojë, duke e bërë më të vështirë për qytetarët marrjen e një kredie për shtëpi, ndërsa bizneset do vazhdojnë të kenë akses më të lehtë në financim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit