SPAK bastis “Klajdi Resort” në Golem, pronarit i sekuestrohet celulari

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.08.2025, 19:22

SPAK ka goditur një rrjet të madh të trafikut ndërkombëtar të kokainës, duke kryer kontrolle të njëkohshme në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Golem. Në kuadër të operacionit, mediat raportojnë se u bastis “Klajdi Resort” në Golem, ku u sekuestrua celulari i pronarit Osman Kokoshi, i dyshuar për përfshirje në aktivitetin e grupit.

Lista e të hetuarve përfshin emra të njohur për drejtësinë, si vëllezërit Riza, Ardian, Albin dhe Elvis Çela, Fadil alias Jul Balla – pronar i “Ajman Resort”, Franc Çopja (i arrestuar në Belgjikë), Petrit Sulejmani alias “Lakatos”, Mariglen Kamami, Denis Daja, Kujtim Gjyla, Renato Musaka, Vilson dhe Dition Pepa, Miklovan Mullai dhe Gert Çerma.

Sipas dosjes hetimore, rrjeti kriminal kishte ngritur një strukturë të sofistikuar për transportin e kokainës nga portet e Amerikës Latine drejt Evropës, duke përdorur Shqipërinë si pikë strategjike për magazinim dhe shpërndarje. Hetimi është bazuar në përgjime të siguruara nga aplikacioni i enkriptuar “Sky ECC”.

Emra si Franc Çopja dhe Ervis Çela konsiderohen si figurat kyçe të grupit, ndërsa Fadil alias Jul Balla dyshohet se ka pasur rol në logjistikën dhe transportin e lëndës narkotike. SPAK e lidh këtë operacion edhe me sekuestrimet e mëparshme të sasive të mëdha të kokainës në portet e Durrësit dhe Vlorës, ku droga fshihej në kontenierë me banane apo mallra të tjera importi.

Hetimet pritet të zgjerojnë rrethin e të përfshirëve, ndërsa nuk përjashtohen arrestime të tjera dhe sekuestrime pasurie në ditët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit