Mes personave të shpallur në kërkim nga SPAK është edhe Fadil Balla, i njohur edhe si Jul Balla, pronar i resortit luksoz “Ajman Park” në Shijak, tashmë i sekuestruar nga autoritetet. Ai është gjithashtu administrator i kompanisë “AMR sh.p.k”, e cila ka përfituar miliona euro nga fondet publike përmes tenderëve pa garë në Bashkinë e Shijakut.
Sipas të dhënave, “AMR sh.p.k” ka fituar tre kontrata me një vlerë totale prej 1.7 milionë euro, të gjitha pa konkurrentë:
2020 – 317 milionë lekë të vjetra për shërbim pastrimi, gjelbërimi dhe mirëmbajtje varrezash (97% e fondit limit).
2022 – 309 milionë lekë të vjetra për të njëjtin objekt (98.8% e fondit limit).
Prill 2025 – 1.2 miliardë lekë të vjetra për pastrim, grumbullim mbetjesh urbane dhe mirëmbajtje hapësirash publike (99.6% e fondit limit).
Hetimet tregojnë se Balla operonte në dy fronte: si pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës me lidhje ndërkombëtare dhe njëkohësisht si biznesmen i suksesshëm në sektorin publik, duke thithur fonde të mëdha nga taksat e qytetarëve.
Ky rast shton listën e gjatë të shembujve se si figurat e krimit të organizuar në Shqipëri shfrytëzojnë njëkohësisht botën e errët të trafikut dhe mekanizmat e ligjshëm të prokurimeve publike për të rritur pasurinë e tyre.