SPAK, në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet e disa vendeve europiane, ka shkatërruar një nga organizatat më të mëdha shqiptare të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës, e cila dyshohet se ka pastruar miliona euro nga droga në resorte, vila dhe pasuri të tjera të patundshme në Shqipëri.
Hetimet, të bazuara në të dhëna dhe mesazhe të siguruara nga aplikacioni i enkriptuar “Sky ECC”, zbuluan se grupi kishte trafikuar në vitin 2020 plot 28 tonë kokainë nga Paraguaj në drejtim të porteve të Anversës (Belgjikë) dhe Hamburgut (Gjermani). Nga këto, 17 tonë u sekuestruan, me një vlerë tregu deri në 3.5 miliardë euro.
Në krye të trafikut dyshohet të kenë qenë Elvis Çela dhe vëllai i tij, të vendosur në Paraguaj në kohën e operacioneve, të cilët kishin ngritur një zinxhir të plotë kontrolli mbi ngarkesat – nga nisja në Amerikën e Jugut deri te shpërndarja në tregjet europiane. Droga fshihej në ngarkesa legale me kuti sapuni, bombola boje apo materiale ndërtimi, të markuara me emra si “Fox”, “Puma” apo “Sy me rrufe”.
Sipas prokurorëve Altin Dumani dhe Vladimir Mara, kjo organizatë “kishte kapacitetin të ndikonte drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në Europë dhe të menaxhonte sasi të mëdha brenda një kohe të shkurtër”. Ata e cilësojnë si një strukturë me fuqi të jashtëzakonshme financiare dhe organizim të nivelit të lartë, që arrinte të rikuperonte shpejt humbjet nga sekuestrimet.
Paratë e drogës përdoreshin për investime në biznese dhe prona, përfshirë ndërtimin e resorteve. SPAK ka identifikuar 5 kompani në Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë, mes tyre AMR shpk e Fadil Ballës, pronare e kompleksit “Ajman Park Resort” në Xhafzotaj, tashmë e sekuestruar. Nën sekuestro kanë kaluar edhe një vilë 2-katëshe në Dhërmi me vlerë 1 milion euro, pasuri në Sharrë të Tiranës dhe prona të tjera.
Gjykata e Posaçme ka firmosur 16 masa sigurie, ku 7 janë arrest me burg dhe 2 detyrim paraqitjeje. Një nga krerët, Franc Çopja alias Franc Gergely, ndodhet i arrestuar në Belgjikë.
Autoritetet nuk përjashtojnë arrestime të tjera dhe sekuestrime të mëtejshme, ndërsa hetimet vazhdojnë për gjurmimin e të gjitha pasurive të organizatës dhe lidhjet e saj ndërkombëtare.