Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një veprim të cilin e konsideron si të padrejtë nga Policia Rrugore.
Me anë të një video, ai tregon se policia e ka gjobitur për parkim të gabuar. Pavarësisht se e pranon se ka parkuar makinën gabim, denoncuesi thotë se kishte lënë numrin e telefonit që policia ta njoftonte në rast se duhet të largonte makinën.
“Përshëndetje JOQ, kjo është gjoba te makina ime. Kisha lënë dhe numrin aty që t’i binte polici në telefon për arsye se unë normalisht kam parkuar gabim. Unë kam shtëpi private me parkim normalisht, por te lagjja ime po bëhen punime dhe skam ku e le,” thotë ai.
Qytetari shton se punimet te rrugica e lagjes së tij kanë nisur pa paralajmërim, duke hapur një kanal të madh në hyrje të rrugës. Ai tregon se mund të kishin mbetur dhe të bllokuar me makinë brenda në shtëpi, pasi askush nuk i njoftoi për atë që do të bëhej.
“Për disa orë na lanë dhe pa drita. Mund të kishim ngelur të bllokuar dhe brenda në shtëpi,” shton ai.