Një qytetare ka denoncuar një rast të mbajtjes së komisioneve të fryra në bankat shqiptare konkretisht tek Union Bank në Pogradec, ku rrëfen se iu mbajt një shumë e tepruar si komision gjatë tërheqjes së parave nga bankomati.
Ajo tregon për JOQ se ka tërhequr 500 mijë lekë të reja, por nga llogaria e saj janë zbritur plot 583 euro. “Ndërkohë, banka ime gjermane Sparkasse më informoi se më kishte mbajtur vetëm 11,75 euro komision. Nuk e di pse kaq shumë komision. Kjo është vjedhje”, shprehet ajo.

Sipas saj, bashkëshorti ishte informuar nga bankomati për një komision prej vetëm 8 eurosh për tërheqjen, por pas kryerjes së transaksionit, shuma e marrë rezultoi shumë më e lartë.
“Kur pashë në llogari këtë shumë, ju kërkova sqarim, por m’u kthyen në anglisht duke më thënë se jemi ne fajtorë, pasi shuma që kërkohet për këmbim valutor është treguar në momentin e tërheqjes,” shton ajo.

Rasti ngre shqetësime për transparencën dhe politikat e komisioneve që aplikojnë bankat në vend për klientët e huaj dhe ata vendas gjatë transaksioneve me karta ndërkombëtare.