Statistikat e aksidenteve për vitin 2024 tregojnë një panoramë alarmante. 2085 persona janë plagosur dhe 175 kanë humbur jetën. Të dhënat sipas përvojës së drejtuesve të mjeteve tregojnë se numrin më të madh të të plagosurve e mbajnë shoferët me mbi 9 vite eksperiencë plot 925 raste, ndërsa 73 prej tyre nuk kanë mundur t’i mbijetojnë përplasjes. Kjo tregon se përvoja e gjatë nuk garanton siguri në rrugët shqiptare.
Një tjetër shqetësim janë drejtuesit pa leje drejtimi, për të cilët të dhënat tregojnë një rritje të dukshme të aksidenteve. Në vitin 2024, kjo kategori shkaktoi 99 të plagosur, duke shënuar një rritje prej 29% krahasuar me vitin 2023, kur kishte 77 të plagosur. Numri i viktimave u rrit nga 12 në vitin 2023 në 20 në vitin 2024, një rritje prej 66.6%.
Shoferët me 3-6 vjet përvojë drejtimi ka parë një rritje të numrit të të plagosurve, nga 236 në 300, por ka pësuar një ulje të viktimave nga 25 në 18. Të dhënat gjithashtu sinjalizojnë një rritje të rasteve kur drejtuesit largohen nga vendi i ngjarjes, duke shkaktuar 39 të plagosur dhe 5 viktima në 2024, krahasuar me 33 të plagosur dhe 3 viktima në 2023. Kjo është një situatë që kërkon ndërgjegjësim të shoqërisë.
Shifrat janë shqetësuese. Kjo tregon nevojën për masa më të rrepta dhe kontrolle të vazhdueshme. Kërkohet një angazhim më i fortë për edukimin e drejtuesve të mjeteve dhe zbatimin e ligjit. Të gjitha grupmoshat e përfshira, sidomos ata që drejtojnë pa leje apo që janë të mitur, duhet të ndihen të përgjegjshëm për sigurinë e tyre dhe të tjerëve.
