Bëri 20 vite burg të padrejtë, “Nëna më e keqe e Australisë” merr 1.1 milion euro

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.08.2025, 21:05

Kathleen Folbigg, gruaja australiane që u dënua në vitin 2003 për vrasjen e katër fëmijëve të saj dhe u etiketua nga mediat si “nëna më e keqe e Australisë”, do të marrë një dëmshpërblim prej mbi 1 milion euro pasi u lirua pas 20 vitesh burg të padrejtë.

Folbigg u shpall fajtore për vdekjen e katër fëmijëve të saj – Caleb, Patrick, Sarah dhe Laura – të cilët ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme në periudhën 1989-1999, kur ishin vetëm nga 19 ditësh deri në 18 muajsh. Në mungesë të provave shkencore të kohës, gjykata u mbështet te ditarët e saj personalë dhe në hipotezën se ajo i kishte mbytur.

Megjithatë, në vitin 2023, një rishikim gjyqësor i çështjes zbuloi se fëmijët mund të kishin vdekur për shkaqe natyrore, për shkak të një mutacioni të rrallë gjenetik. Si rrjedhojë, Kathleen u lirua dhe u rehabilitua nga drejtësia.

Avokatja e saj, Rhanee Rego, konfirmoi se qeveria e Uellsit të Ri Jugor i ka ofruar një dëmshpërblim prej 1.116.598 euro, por e cilësoi këtë shumë si “moralisht fyese” dhe thellësisht të padrejtë, duke theksuar se sistemi e ka dështuar sërish Folbigg.

“Shuma që ofrohet është një fyerje morale, krejtësisht e pamjaftueshme dhe e pajustifikueshme,” deklaroi Rego, duke e krahasuar me raste të tjera si ai i Lindy Chamberlain, e cila mori 1.7 milionë dollarë për vetëm tre vite burg.

Ndërkohë, autoritetet kanë konfirmuar pagesën, por nuk kanë bërë publike detajet, pasi vetë Folbigg ka kërkuar që vendimi të mbetet konfidencial.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit