Është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare Fatos Kaceli, një nga emrat simbolikë të eksodit të parë drejt lirisë në vitin 1990. Ai ishte shoferi i kamionit që më 23 qershor 1990 theu portën e Ambasadës Italiane në Tiranë, bashkë me pesë shokë të tjerë, në një akt sfidues ndaj regjimit komunist.
Kaceli u largua nga Shqipëria që prej atij momenti historik dhe nuk u kthye më kurrë në Atdhe për 35 vite me radhë. Ai ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë, duke u ndarë nga jeta në dhe të huaj.
Bashkë me të në atë ngjarje të guximshme ishin edhe Burhan Kalaja (ka ndërruar jetë në vitin 2010), Lulzim Hasa (banon në Lignano Sabbiadoro, Itali), Ilir Veizi (banon në Torino), Fatmir Hyka (banon në La Spezia) dhe Gezim Tota (banon në Tiranë), i cili dha edhe lajmin për JOQ për ndarjen nga jeta të mikut të tij.
Ngjarja e 23 qershorit 1990 u konsiderua si një nga goditjet e para ndaj regjimit komunist dhe u kthye në një simbol të revoltës së heshtur të shqiptarëve ndaj izolimit dhe mungesës së lirisë.
"I paharruar qoftë kujtimi i tij!" – thuhet në mesazhin përkujtimor nga bashkudhëtarët e tij drejt lirisë.
