Një qytetare ka denoncuar kushtet e papranueshme të pastrimit në maternitetin e Shkodrës, duke shprehur shqetësimin për pasiguritë që rrezikojnë shëndetin e nënave dhe foshnjave. Ajo tregon se, gjatë pritjes për kunatën e saj që po lindte, ka hasur në kushte higjienike tepër të pasigurta, ku banjot ishin të mbushura me njolla gjaku dhe papastërti. Sipas saj, ishte e pamundur të prekej ndonjë gjë pa patur frikë për infeksione.
Denoncimi i qytetares:
Pershendetje JOQ! Ne maternitetin e Shkodrës kushtet janë katastrofike. Po prisja kunatën që ishte për të lindur dhe banjot ishin si mos më keq, kudo njolla gjaku dhe nuk kishte mundësi të prekje asgjë nga papastërtia. Siç shihet edhe në video, kishin mbetur mbetje nga një nënë që kishte lindur më parë dhe nuk ishte pastruar. Askush nuk e di çfarë ka ndodhur dhe gjithçka është lënë ashtu. Nëse keni mundësi, postojeni dhe do të ishte e shpresueshme që dikush të bëjë diçka për këtë, pasi po rrezikojnë infeksione.
Në një video të dërguar në redaksi, qytetarja ka treguar mbetje nga një lindje e kaluar, të cilat ishin lënë të papastruara për një kohë të gjatë. Ky trajtim i papërgjegjshëm ka krijuar një ambient të rrezikshëm, ku pasiguria për infeksione është tejet e lartë. Mungesa e kujdesit pas lindjeve të mëparshme ka shkaktuar një situatë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e pacientëve. Ajo ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga autoritetet përkatëse, duke kërkuar që ky problem të zgjidhet sa më shpejt, për të garantuar kushte më të sigurta dhe të pastra për gratë që lindin.