Syri i Kaltër, një nga monumentet më të njohura të natyrës në Shqipëri, vijon të përballet me një mungesë të theksuar respekti ndaj statusit të tij si monument natyre i mbrojtur.
Pavarësisht tabelave dhe paralajmërimeve të qarta në hyrje të zonës që ndalojnë hedhjen në ujë, turistët vendas dhe të huaj vazhdojnë të thyejnë rregullin, duke u hedhur nga lartësi të ndryshme në këtë burim unik, i cili është i mbrojtur për një arsye.
Një operator turistik, që çdo ditë sjell mbi 60 turistë në këtë vend, denoncon situatën përmes JOQ ALBANIA, duke shprehur indinjatë për neglizhencën e institucioneve. Ai thotë se ky problem është i vazhdueshëm te Syri i Kaltër dhe do vazhdojë të mbetet i tillë për sa kohë autoritetet shqiptare nuk marrin masa dhe nuk vendosin roje, ashtu siç ndodh në çdo vend të botës në monumentet e mbrojtura.
Sipas tij, turistët e huaj janë ata që abuzojnë më tepër me këtë rregull duke vënë në rrezik jo vetëm sigurinë e vizitorëve të tjerë, por edhe ekosistemin e brishtë të Syrit të Kaltër.
Syri i Kaltër është më shumë se një atraksion turistik, është një monument i gjallë i natyrës, që kërkon kujdes, monitorim dhe ndërgjegjësim të vazhdueshëm për të mos u kthyer në një atraksion të shkatërruar nga duart e vetë vizitorëve. Kjo sjellje është alarmuese prandaj autoritetet përgjegjëse duhet të marrin masa të menjëhershme për parandalimin e përsëritjes së rasteve të tilla.
Denoncimi i qytetarit:
"Ju lutem bejeni publik kete rast ndoshta reagojne keta tanet qe flen gjume. Esht hera e disajt qe denoncoj kete problem ne Blue eye, Sarande. Te gjith turistet ne uje. Askujt si intereson. Asnje roje nuk eshte ketu ,ne shtetin e tyre do na kishin nxjerr syte nese do benim dicka te till. Te gjith keta felliqesira qe kan ardhur sivjet. Faleminderit nese e postoni Une jam guide Operator turistik Sjell perdit rreth 60 veta dhe gjith rruges ju themi ne autobus nuk lejohet te notohet. Kur shkojme aty gjejm keta ne uje. E njejta situat perdite"