Qytetarja denoncon Air Albania: Na zbritën nga avioni pa asnjë shpjegim

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.08.2025, 17:23

Një qytetare ka denoncuar një situatë të përsëritur të papranueshme me linjën ajrore Air Albania, e cila ka shkaktuar shqetësime të mëdha për pasagjerët e fluturimit Tirana – Ankara. Pasagjerët, që priteshin të niseshin në orën 11:00, janë bllokuar për orë të tëra pa asnjë informacion të saktë. Ajo shpjegoi se pas hipjes në avion dhe pritjes për fluturim, atyre iu kërkua të zbrisnin për shkak të një problemi me sigurimin e avionit.

Për të marrë më shumë informacion, denoncuesja dhe pasagjerët e tjerë kanë kontaktuar shërbimin e klientit të Air Albania, ku iu është thënë se fluturimi është anuluar për momentin, por pa dhënë asnjë informacion tjetër. Sipas qytetares, ata janë detyruar të presin në aeroport, duke kërkuar një përgjigje nga linja ajrore, por nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar.

Denoncimi në redaksi:

Pershendetje, s'di ku të ankohem apo ku të marr një përgjigje. Jemi në aeroport që në 11, kur duhej të ishte bërë nisja nga Tirana në Ankara dhe deri tani akoma asgjë. Na zbritën nga avioni dhe na thanë që s'ka siguracion avioni apo linja Air Albania për në qytetin e Ankaras. Po presim që 4 orë dhe s'na thonë asgjë. Morëm në telefon shërbimin e klientit të linjës Air Albania dhe ata thanë që është anuluar për momentin, por që s'kemi asnjë informacion tjetër, duhet të prisni një informacion nga aeroporti. Ata në aeroport thonë s'di më asgjë. Tani problemi është ku do marrim informacion në lidhje me fluturimin, jemi nisur për Ankara për hall për në spital, që duhet të ishim patjetër atje tani dhe ne akoma s'jemi nisur. Ne hipëm në avion në orar dhe në momentin që hipëm, na i prenë biletat dhe pastaj na kërkuan të zbrisnim për arsyen që ju thamë më lart. Dhe tani nuk na lënë as të dalim nga këtu ku jemi, sepse na thonë se nëse dalim te check-in, nuk na lejojnë të futemi më. Ju lutem anonim, mbase del dikush dhe na informon.

Në mes të kësaj situate, pasagjerët janë gjithashtu shqetësuar për mungesën e komunikimit të duhur dhe transparencës nga Air Albania, veçanërisht pasi ky udhëtim kishte një arsye urgjente shëndetësore. Ajo apelon për një reagim të shpejtë nga linja ajrore dhe kërkon që të sigurohen informacion dhe zgjidhje të menjëhershme për pasagjerët që janë prekur nga ky problem. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin vonesa dhe mungesë informacioni nga Air Albania, gjë që ka krijuar shumë pasiguri dhe shqetësim për udhëtarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit