Në plazhet publike të Himarës po përhapet një fenomen shqetësues: pushuesit po “privatizojnë” çadrat e vendosura për përdorim të përbashkët.


Disa lënë peshqirë, të tjerë çanta apo rroba, ndërsa jo pak i lidhin shezlongët me zinxhirë, për të siguruar që askush tjetër të mos i përdorë në ditët në vijim. Kështu, hapësirat që duhet të jenë të lira për të gjithë, kthehen në "pronë" personale nga një grup i vogël njerëzish.

Ky veprim po shkakton irritim mes pushuesve të tjerë që nuk gjejnë dot vend, edhe pse plazhi është publik dhe çadrat janë vendosur pikërisht për të shmangur kaosin dhe për të garantuar akses të barabartë për të gjithë.

Fenomeni po shihet si një formë arrogante e zaptimit, që bie ndesh me parimin e përdorimit të përbashkët të hapësirave publike. Në rrjetet sociale janë shtuar denoncimet ndaj këtij “mentaliteti të pronës private mbi pronën publike”, që duket se po zë gjithnjë e më shumë vend në bregdetin shqiptar.