Vdekja e 51-vjeçarit në paraburgim, Komiteti i Helsinkit: Ai kërkoi ndihmë disa herë, por nuk u dërgua në spital

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.08.2025, 14:10

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas vdekjes së të paraburgosurit Besnik Koçiu, 51 vjeç, në ambientet e burgut “Jordan Misja” në Tiranë, duke ngritur shqetësime serioze mbi trajtimin shëndetësor dhe neglizhencën institucionale.

Sipas një monitorimi të kryer më 29 korrik 2025, KShH konstaton se 51-vjeçar ishte akomoduar në IEVP “Jordan Misja” që prej datës 16 korrik, me një histori të rënduar mjekësore që përfshinte diabetin, hipertensionin, dislipideminë dhe një goditje cerebrale të kaluar më parë. Që në ditët e para të qëndrimit, ai kishte paraqitur ankesa të përsëritura për dhimbje koke, dobësi trupore dhe djegie, por nuk ishte dërguar në spital, megjithë kërkesat e tij.

Raporti i KShH thekson se ndonëse në dokumentacion rezulton se i paraburgosuri duhej të mbahej nën vëzhgim të vazhdueshëm për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, nuk u gjet asnjë praktikë e dokumentuar që tregon masat e marra në këtë drejtim. Për afro 9 orë para se të gjendej pa ndjenja mëngjesin e 24 korrikut, nuk figuron asnjë ndërhyrje nga ana e stafit shëndetësor apo policor.

Ai u gjet pa shenja jete në dhomën nr. 6, katin -1 të institucionit, dhe u dërgua menjëherë në QSUT, ku u konfirmua vdekja me dyshimin për arrest kardiak.

KShH ngre dyshime të forta mbi mosreagimin në kohë të autoriteteve, duke theksuar se një pacient me diagnoza të tilla komplekse dhe ankesa të përsëritura duhet të ishte dërguar menjëherë për trajtim të specializuar. Organizata kërkon hetim të plotë dhe transparent nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të identifikuar përgjegjësit dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme.

Në përfundim, Komiteti vëren me shqetësim se sistemi penal shqiptar vijon të aplikojë masën e paraburgimit edhe për persona me gjendje të rënduar shëndetësore që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë për shoqërinë, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare që nxisin përdorimin e masave alternative ndaj arrestimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit