Megjithëse në pamje të parë Saranda duket si një histori suksesi turistik – me bulevardin e mbushur, dhomat e hoteleve të zëna dhe turistë që vërshojnë nga tragetet e autobusët – zërat e operatorëve lokalë tregojnë një realitet krejt tjetër.
Në sfondin e zhurmës së makinave dhe gjuhëve të huaja që përzihen me zërat e qytetit, sezoni 2025 po cilësohet si një nga më të vështirët e viteve të fundit. Shumë biznese ndihen të zhgënjyer nga përfitimet reale, që nuk përputhen me fluksin e vizitorëve.
Një nga arsyet kryesore, sipas kreut të shoqatës së operatorëve lokalë, Kristaq Çipa, është informaliteti i përhapur:
“Transport, guida të paautorizuara, shërbime detare informale, madje edhe individë që ofrojnë akomodim apo ushqim pa asnjë standard e pa licencë. Task-forcat kontrollojnë vetëm ata që janë të ligjëruar. Ndërsa paligjshmëria nuk preket. Kjo është absurde”, deklaron ai.
Mospërputhja mes numrit të turistëve dhe konsumit real, e shoqëruar me problematika si pagesat me vonesë, shërbimet nën standard dhe konkurrenca e pandershme, po dëmtojnë rëndë bizneset që operojnë në mënyrë të rregullt.