Një sipërmarrës i punëve publike ka denoncuar për JOQ se ka mbetur i bllokuar në përfundimin e një pallati në Elbasan, ku është i angazhuar si nënkontraktor. Sipas tij, një pjesë e fasadës së pallatit nuk mund të përfundohet për shkak të një qytetari që ka vendosur një portë në cep të ndërtesës, duke penguar aksesin dhe vazhdimin e punimeve.
Ai thekson se ka shkuar disa herë në bashkinë e Elbasanit, por autoritetet nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje konkrete, duke e lënë problemin pezull.
Denoncuesi thotë se bëhet fjalë për një zaptues të paligjshëm dhe se rreth 10 kryefamiljarë janë ankuar gjithashtu për këtë çështje, por pa asnjë reagim nga institucionet. Ai apelon për ndihmë dhe ndërhyrje, në mënyrë që projekti të përfundojë dhe qytetarët të mos mbeten peng i një individi që po bllokon padrejtësisht punimet.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Dua të denoncoj një rast në faqen tuaj! Jam sipërmarrës punësh publike në përgjithësi. Aktualisht kam ngecur në një pallat në Elbasan, ku jam i angazhuar si nënkontraktor. Ky është pallati në fjalë. Kam shkuar shumë herë në bashki, por nuk ka zgjidhje. Përgjigja e tyre është gjithmonë e njëjtë: nuk mund të bëjmë asgjë. Ka ngelur një fasadë e pallatit pa përfunduar, për shkak të tekave të një zaptuesi të paligjshëm, i cili ka vendosur një portë në cep të pallatit. Ju lutem, nëse mundeni, veproni! Një komshi që jeton ngjitur ka vendosur portën në cep të pallatit dhe ka bllokuar punimet. Ka mbetur vetëm një pjesë e fasadës për t’u përfunduar. Nuk na lejon të punojmë. Janë rreth 10 kryefamiljarë që janë ankuar në bashki. Por bashkia është inekzistente, nuk ndërhyn fare. Bashkia ka dhënë lejen për rikonstruksionin e pallatit, ndërsa investitori është Fondi i Zhvillimit. Problemi tani qëndron te bashkia, pasi vetëm ajo mund të ndërhyjë. Rrethimi i zotërisë përkatës është plotësisht i paligjshëm, në shkelje flagrante të ligjit.