Sistemi shëndetësor shqiptar vijon të përballet me vështirësi serioze në identifikimin e shkaqeve të sëmundjeve diarrehike. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), mbi 98% e rasteve të raportuara në pesë muajt e parë të vitit nuk kanë një shkak të identifikuar.
Nga 28,268 raste të sëmundjeve diarrehike të regjistruara në periudhën janar–maj 2025, 27,716 janë klasifikuar si gastro-enterite me etiologji të panjohur, çka tregon për mangësi në testimet laboratorike dhe hetimin epidemiologjik të rasteve.
Ndërkohë, ISHP raporton një rritje të ndjeshme të helmimeve nga ushqimi dhe të infeksioneve nga salmonela, që po shfaqen gjithnjë e më shpesh në këtë periudhë të vitit.
Në 5 muajt e parë të vitit janë identifikuar 466 raste me helmime nga ushqimi, me kulm në muajin maj (115 raste), ndërsa në janar u regjistruan 112 raste. Këto raste lidhen kryesisht me përpunimin dhe ruajtjen jo të sigurt të ushqimeve, si dhe me mungesën e higjienës në ambientet e gatimit.
Një tjetër shqetësim është rritja e infeksioneve nga salmonela, të cilat u shtuan ndjeshëm nga vetëm 3 raste në janar në 31 raste në maj, duke çuar totalin për periudhën në 59 raste.
Kjo rritje paralelizohet me shtimin e konsumit të ushqimeve të freskëta dhe aktivitetet në natyrë gjatë pranverës, çka rrit mundësinë e përhapjes së infeksioneve ushqimore.
Fakti që shkaku i saktë nuk është identifikuar në 98% të rasteve e vështirëson marrjen e masave parandaluese – pasi nuk dihet nëse burimi është uji, ushqimi, higjiena personale apo ndonjë faktor tjetër specifik.
Kjo tregon dobësi të sistemit të survejancës epidemiologjike dhe thekson nevojën për investime në kapacitetet laboratorike dhe hetimin klinik, në mënyrë që të arrihet një kontroll më efektiv i sëmundjeve infektive që lidhen me konsumin e ushqimit dhe ujit.