Sot, më 7 gusht, në Prishtinë pritet të mbahet një protestë popullore e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në shenjë kundërshtimi ndaj mbajtjes në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Protesta do të nisë në orën 17:00 dhe është paralajmëruar si një tubim i qetë dhe i organizuar. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media këtë të hënë, tha se kjo protestë është një thirrje për drejtësi dhe respekt ndaj kontributit të luftëtarëve për lirinë e Kosovës.
Sipas nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, gjatë protestës do të mbajnë fjalime figura të njohura si profesoresha universitare Nevenka, organizatori Hysni Gucati, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, një bashkëluftëtar i UÇK-së si dhe një djalë dëshmori. Ai shtoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e tubimit, përfshirë lejen nga Komuna e Prishtinës, njoftimin e Policisë së Kosovës, praninë e ambulancës dhe organizimin e transportit për pjesëmarrësit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte. Gjykimi i tyre ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vetëm një ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës vendosën të zgjasin edhe një herë masën e paraburgimit ndaj tyre, vendim që ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe shoqatat e dala nga lufta.