Trump vendos tarifa të reja, mbi 60 vende përballen me taksa të larta tregtare

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.08.2025, 10:31

Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë hyrë në fuqi menjëherë pas mesnatës të së mërkurës, duke shënuar një kthesë të fortë në politikën tregtare të administratës së tij. Me anë të një postimi në platformën Truth Social, Trump deklaroi: “Është mesnatë!!! Miliarda dollarë në tarifa po rrjedhin tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!” Këto tarifa të reja do të prekin mallra nga më shumë se 60 vende, përfshirë Bashkimin Evropian, Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe Vietnamin, me norma që variojnë nga 10% në 20%.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, këto masa synojnë të forcojnë ekonominë amerikane dhe të përballen me praktikat tregtare “të padrejta” të partnerëve ndërkombëtarë. Produktet nga BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut do të taksohen me 15%, ndërsa importet nga vende si Vietnami, Tajvani dhe Bangladeshi do të përballen me tarifa deri në 20%. Trump gjithashtu paralajmëroi një tarifë 100% për gjysmëpërçuesit, me përjashtime për kompani si TSMC që kanë fabrika në SHBA. Presidenti deklaroi se “SHBA-ja po fiton qindra miliarda dollarë nga tarifat”, edhe pse nuk dha shifra të sakta.

Megjithatë, reagimet nuk kanë munguar. Shumë kompani amerikane dhe grupe të industrisë shprehën shqetësim për ndikimin që këto tarifa do të kenë te bizneset e vogla, kostoja e të cilave mund të rritet ndjeshëm. Ekonomistët paralajmërojnë se tarifat mund të nxisin inflacionin dhe të dëmtojnë rritjen ekonomike në afat të gjatë. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, administrata Trump mbetet e bindur se masat e reja do të sjellin “qartësi dhe rritje të paprecedentë” për ekonominë më të madhe në botë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit