Korriku 2025, muaji i tretë më i nxehtë ndonjëherë në Tokë! Vazhdojnë alarmet për ndryshimet klimatike

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.08.2025, 08:59

Pavarësisht një rënieje të lehtë nga rekordi absolut, korriku i vitit 2025 u rendit si muaji i tretë më i nxehtë ndonjëherë i regjistruar globalisht, sipas Observatorit Evropian të Kopernikut. Temperaturat mesatare globale ishin 1.25°C mbi nivelet para-industriale, duke mbetur vetëm pak nën pragun kritik 1.5°C të Marrëveshjes së Parisit. Ekspertët paralajmërojnë se, edhe në mungesë të rekordeve të reja, planeti vazhdon të përballet me një gjendje emergjente klimatike.

Valët e të nxehtit dhe fenomenet ekstreme nuk munguan: temperaturat tejkaluan 50°C në Gjirin Persik, Irak dhe për herë të parë në Turqi. Ndërkohë, përmbytjet masive në Azi shkaktuan qindra viktima, ndërsa zjarret në Kanada dhe nxehtësia vdekjeprurëse në Spanjë dhanë prova të prekshme të ndikimeve të krizës klimatike. Drejtori i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut, Carlo Buondebo, theksoi se pa një reduktim të shpejtë të emetimeve të gazrave serrë, bota duhet të përgatitet për pasoja gjithnjë e më të rënda.

Edhe sipërfaqja e oqeaneve dhe akullnajat treguan shenja shqetësuese: temperatura e deteve arriti nivele rekord në disa rajone, ndërsa shtrirja e akullit detar në Arktik dhe Antarktidë ishte ndër më të ulëtat në dekada. Europa, veçanërisht vendet nordike dhe mesdhetare, përjetuan periudha të nxehta dhe thatësirë ekstreme, ndërsa vetëm disa rajone të planetit përjetuan temperatura nën normalen sezonale. Observatori i Kopernikut paralajmëron se këto janë sinjale të qarta që kriza klimatike nuk ka pushuar – përkundrazi, po përkeqësohet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit