Pas hetimeve të nisura nga SPAK ndaj ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, një emër duket se ka mbetur jashtë vëmendjes së drejtësisë: ai i Erindi Bejkos. Ky personazh, i konsideruar si një nga njerëzit më të afërt të kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj, ka pasur një rol kyç në drejtimin e institucioneve të rëndësishme bashkiake. Megjithatë, pavarësisht denoncimeve të shumta publike për afera korruptive dhe lidhje të dyshimta me botën e biznesit dhe atë kriminale, SPAK duket se po e anashkalon totalisht këtë figurë.
Kjo situatë shtron pyetjen: A është Erindi Bejko "qengji i urtë që pi dy nëna" apo një prej të paprekshmëve të fundit në rrethin e ngushtë të Veliajt?
Aferat e dyshimta? Një libër i hapur për SPAK-un.
Denoncimet e shumta kanë nxjerrë në dritë një sërë skandalesh ku Erindi Bejko është drejtpërdrejt i përfshirë. Nëse SPAK-u do t'i kushtonte sadopak vëmendje, do të gjente një material të pasur për hetime.
Skandali i Gardës së Republikës
Një nga rastet më flagrante lidhet me kalimin e pronave shtetërore të Gardës së Republikës tek Bashkia e Tiranës. Sipas burimeve mediatike, Erindi Bejko, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Objekteve Publike, ka firmosur një tender me vlerë 380 milionë lekë për mirëmbajtjen e një ish-godine të Gardës. Këtu ndodh edhe "magjia" e mirëfilltë e korrupsionit. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) zbuloi se punimet prej miliona lekësh ishin kryer "shkel e shko", madje shumë prej tyre ekzistonin vetëm në letër. Godina nuk kishte ujë, as energji elektrike, dhe ishte jo funksionale një vit pas "kolaudimit". Për më tepër, kompania fituese nuk kishte as leje ndërtimi! E gjithë kjo aferë, ku paratë e taksapaguesve u zhdukën, u zhvillua nën firmën e Erindi Bejkos.
Si mundet që një raport i KLSH-së, që vë në pikëpyetje të drejtpërdrejtë veprimet e një zyrtari të lartë, të mos merret parasysh nga SPAK-u? Ndoshta për SPAK-un, një dëm ekonomik prej qindra milionë lekësh në buxhetin e shtetit nuk përbën një krim serioz, sidomos kur bëhet fjalë për zyrtarë të caktuar.
Lidhjet me botën e "Call Center-ave" dhe "Grupet Kriminale"
Një tjetër pikëpyetje e madhe qëndron mbi lidhjet e Bejkos me skema mashtrimi ndërkombëtare. Burime të ndryshme mediatike kanë zbuluar se Erindi Bejko është aksioner në një kompani "Call Center" së bashku me Xhulian Xhafën. Ky i fundit, jo më larg se pak kohë më parë, është dënuar nga SPAK-u me 6 vjet e 8 muaj burg për "Mashtrim kompjuterik" në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke zhvatur miliona euro nga qytetarë gjermanë.
Është vërtet e çuditshme se si një ish-drejtor i lartë i Bashkisë së Tiranës, i cili ndan të njëjtat aksione (33.33%) me një person të dënuar si pjesë e një grupi kriminal, nuk është në qendër të vëmendjes së SPAK-ut. Ky fakt, i cili del thjesht duke kontrolluar të dhënat publike në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), duket se nuk e shqetëson aspak prokurorinë.
Përfshirja në tendera me personazhe me precedentë
Denoncimet nuk ndalen këtu. Erindi Bejko ka dhënë tendera publikë me vlerë qindra mijëra euro për kompani të personazheve të inkriminuar, siç është rasti i Pëllumb Gjokës. Raportohet se Bejko ka firmosur tendera për kompaninë e Gjokës, i cili u arrestua si pjesë e dosjes "Metamorfoza" dhe akuzohet për trafik droge dhe vrasje. Tenderi në fjalë, për blerjen e preparateve për dezinfektim, ishte paracaktuar për kompaninë e Gjokës, pasi diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese ishte qesharake.
Këto lidhje të dyshimta të Erindi Bejkos me persona të botës së krimit, që përfitojnë fonde publike, ngrenë pikëpyetje serioze mbi ndershmërinë dhe integritetin e tij. Por, për SPAK-un, gjithçka duket se është në rregull.
Pyetja që s'gjen përgjigje
I gjithë ky mozaik, i ndërtuar me denoncime, raporte të KLSH-së, investigime mediatike dhe të dhëna publike, duket se nuk mjafton për SPAK-un për të nisur një hetim. Ndërkohë, shumë ish-bashkëpunëtorë të tjerë të Erion Veliajt ndodhen pas hekurave. A është Bejko i mbrojtur nga ndonjë fuqi më e lartë, apo prokurorët e SPAK-ut thjesht kanë harruar të bëjnë një kërkim të thjeshtë në Google për të gjetur materialet e nevojshme?
Mbetet për t'u parë nëse kjo "harresë" është e qëllimshme apo thjesht një tjetër provë se drejtësia nuk matet me të njëjtën metro për të gjithë. Zhurma e hekurave për disa dhe heshtja e drejtësisë për të tjerë duket se po kthehet në një standard të ri në Shqipëri.