Dy muaj pas zgjedhjeve të 11 majit dhe në mes të pushimeve verore, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka hapur një tjetër tender të bujshëm me vlerë 1 miliard lekë me TVSH, për një software të ri për identifikimin elektronik të votuesve — një procedurë që ka ngjallur dyshime të forta për fiktivitet dhe abuzim me fondet publike.
Tenderi, i ndarë në dy faza, është publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike më 28 korrik dhe është planifikuar të zhvillohet më 21 gusht, pikërisht në një periudhë kur pjesa më e madhe e institucioneve janë pushim. Kjo lëvizje shihet si përpjekje për ta kaluar tenderin pa shumë zhurmë apo kontroll publik.
Celibashi, i cili ndodhet nën hetim nga SPAK për një tjetër tender prej 23 milionë eurosh që lidhet me pajisjet e identifikimit elektronik në zgjedhjet e kaluara, rrezikon të përballet me një valë të re akuzash për korrupsion dhe shpërdorim fondesh. Pajisjet e përdorura në zgjedhjet e fundit janë ende funksionale dhe të disponueshme, çka e bën të pajustifikueshme hapjen e një tenderi të ri me të njëjtin objekt.

Burime pranë KQZ-së bëjnë me dije për mediat se në këtë skemë është e përfshirë edhe Ejona Mediu, asistente personale e Celibashit dhe njëherazi mbesa e Fatmir Mediut, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për konflikt interesi dhe lidhje nepotike në administratën zgjedhore.
Kjo nuk është lëvizja e vetme e dyshimtë e Celibashit pas zgjedhjeve. Më 26 maj është zhvilluar një tjetër tender i madh për mbikëqyrjen elektronike të qendrave të votimit dhe numërimit, i cili gjithashtu dyshohet se është përdorur për përfitime të paligjshme.
Nëse SPAK zgjeron hetimin për tenderët e KQZ-së, mund të dalin në dritë prova të reja për mënyrën se si janë përdorur paratë publike për interesa personale e politike, duke tronditur besimin në një prej institucioneve që duhet të garantojë integritetin e procesit zgjedhor në vend.