Ky është momenti kur punonjësit e pastrimit të mbeturinave në Durrës, detyrohen të 'pastrojnë' dhe rrugën për të kaluar makina e tyre e punës.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 13 Plazh në Durrës, rruga Pavarësia. Siç duket nga pamjet, punonjësit e pastrimit po kalonin në lagje për të larguar mbeturinat. Teksa kanë qenë duke ecur, para u ka dalë kjo makinë e kuqe tip “Golf”, e cila përveçse ishte parkuar në trotuar, kishte bllokuar dhe rrugën.
Duke qenë se shoferi ose shoferja nuk janë paraqitur në vendin ku kishin parkuar makinën keq, punonjësit e pastrimit janë detyruar që ta marrin në krah dhe ta largojnë për të hapur rrugën e makinës së tyre.
Kjo situatë u ka bërë përshtypje banorëve, të cilët nuk nguruan për të filmuar. Njëri prej tyre shkruan: “Plazh lagja 13 rruga Pavarsia. S’kalon makina plenave zbriten puntorer tu e spustu golfin e kuq me dorë.”
Rasti në fjalë duhet të shërbejë si një apel për të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të tregohen më të kujdesshëm me mënyrën se si parkojnë, pasi mund të bëhen pengesë për të tjerët, sidomos në raste emergjencash kur është e domosdoshme ndërhyrja e zjarrfikësves ose ambulancës.