Prej vitit 2006 deri në fund të 2023, Bankers Petroleum ka përfituar mbi 4 miliardë euro të ardhura neto nga nafta e Patos-Marinzës, pa përfshirë rentën minerare, ndërkohë që ka deklaruar vetëm rreth 800 milionë euro fitime neto. Megjithatë, kompania nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin për shtetin shqiptar, edhe pse ka përfituar miliarda nga shitja e naftës.
Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të mos pranojë kërkesën për lirimin nga burgu të CEO-s së Bankers, Hongping Xiao, dhe ish-drejtorit Leonidha Çobo, të cilët do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim për çështjen e dyshuar të evazionit fiskal dhe shkeljeve të tjera financiare.
Për drejtorin financiar Liany Wang, i dyshuar si bashkëpunëtor i ngushtë i CEO-s, u vendos të mbetet në arrest shtëpiak, duke u konsideruar si një figurë kyçe në keqmenaxhimin financiar që po hetohet.
Gjykata konfirmoi gjithashtu arrestin shtëpiak për Ardit Kenon, menaxher i financave, dhe për punonjësit Flavia Çapo dhe Kledi Xhano. Ndërsa për Doina Goga, një nga të ndaluarat, masa u lehtësua nga arrest shtëpiak në detyrim paraqitje, për shkak të statusit të saj si nënë e një fëmije të mitur.
Për tre persona të tjerë, Erton Ademaj, Majlinda Thana dhe Matilda Ibraliu u hoq masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit, duke mbetur vetëm me detyrimin për t’u paraqitur para autoriteteve.
Në total, janë 14 të dyshuar, përfshirë katër ish-drejtorë të Bankers dhe përfaqësues të katër shoqërive të tjera private, që sipas prokurorisë, kanë ndërtuar një skemë për shmangien e taksave përmes deklarimit të bilanceve negative dhe përfitimeve të pashfaqura nga aktiviteti shumëvjeçar i nxjerrjes së naftës në Patos-Marinzë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa të pandehurit pritet t’i drejtohen Gjykatës së Lartë për të kërkuar ndryshim të masave të sigurisë.