Gjurmët e gishtit zbulojnë autorët e vrasjes së Gentjan Bejtjas: Zbardhet dosja e Prokurorisë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.08.2025, 16:30

Një gjurmë gishti ka qenë çelësi për zbardhjen e vrasjes së bujshme të Gentjan Bejtjas, ish-policit të burgjeve, i cili u ekzekutua mafiozisht në janar 2025 në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Detaje të reja të dalë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës zbulojnë rolet e Flodian Plakut dhe Ilir Beqarajt në atentatin e bujshëm, ndërsa mbetet ende mister porositësi i krimit.

Sipas hetuesve, pas ngjarjes autorët u larguan me një automjet tip Volkswagen Golf me ngjyrë të zezë dhe targa AB960GG. Pikërisht në këtë mjet janë gjetur gjurmë gishtërinjsh në dorezat mbajtëse të pasagjerëve, të cilat pas krahasimit në databazën CODIS kanë rezultuar të përkasin Flodian Plakut dhe Ilir Beqarajt. Ky mjet rezulton në pronësi të Edison Haxhiut, i arrestuar më herët për krijim të kushteve për kryerjen e vrasjes dhe tashmë i liruar.

Në dosjen e siguruar nga grupi hetimor theksohet se automjeti Golf është përdorur nga autorët pas djegies së makinës së parë, një Land Rover i përdorur në atentat, që u dogj në fshatin Hasan të Fushë-Krujës. Kjo provë, bashkë me pamjet filmike të lëvizjes së automjeteve, bileta avioni të rezervuara në një agjenci në Lezhë dhe lidhjet me të ndjerin Roan Brahimi — i vrarë në dhjetor 2024 në Athinë — kanë shërbyer për të ndërtuar akuzën ndaj dy të dyshuarve kryesorë.

Flodian Plaku u arrestua vetëm tri ditë më parë në Vlorë dhe gjatë seancës për masën e sigurisë ka mohuar çdo përfshirje, duke pretenduar se është ngatërruar për shkak të makinës që kishte përdorur dikur. Ndërkohë, Ilir Beqaraj ndodhet nën hetim për akuzën e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim”.

Gentjan Bejtja, i njohur për konfliktet me grupe të fuqishme kriminale dhe me të kaluar si mik e më pas armik i vëllezërve Durim dhe Valter Bami, u vra në një kohë kur ishte shpallur në kërkim nga autoritetet dhe kishte mbijetuar disa atentateve të mëparshme.

Edhe pse autorët dhe bashkëpunëtorët janë identifikuar, hetuesit ende nuk kanë mundur të zbulojnë kush ishte porositësi i vërtetë i vrasjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit