Biznesmeni Ermal Beqiri, një nga eksponentët më të fuqishëm në tregun shqiptar të teknologjisë, ka rënë në vëmendjen e SPAK. Beqiri është një emër i njohur në industrinë e IT-së për lidhjet e tij me institucionet publike dhe përfitimin e një sërë kontratash shtetërore, veçanërisht nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të denoncuara në mënyrë të vazhdueshme nga JOQ.
Burime konfidenciale konfirmojnë se oficerë të BKH kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë së tij, “Soft & Solution”. Kontrollet dyshohet se lidhen me hetime të thelluara mbi mënyrën se si janë fituar tenderat publikë, nëse ka pasur shkelje ligjore, favorizime apo manipulime gjatë proceseve të prokurimit.

Beqiri nuk është një figurë e izoluar në këtë rrjet. Emri i tij është i ndërlidhur ngushtësisht me një tjetër sipërmarrës të sektorit të IT-së, Ergys Agasi, i cili zotëron kompaninë “EA Solution”. Agasi ka fituar shpejt terren në tregun e teknologjisë në Shqipëri, duke siguruar gjithashtu kontrata publike me vlera të mëdha, që kanë ngritur pikëpyetje mbi rregullsinë dhe transparencën e këtyre procedurave.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën e prokurimeve, të dy kompanitë “Soft & Solution” dhe “EA Solution” kanë qenë përfitues të dhjetëra projekteve nga institucione të ndryshme shtetërore, shpesh në mënyrë të përsëritur dhe brenda një afati të shkurtër kohor. Kjo ka ngritur dyshime për një skemë bashkëpunimi ose rotacion tenderash që mund të jetë pjesë e një hetimi më të gjerë të nisur nga SPAK për klientelizëm dhe abuzim me fondet publike në sektorin e teknologjisë.
Ndërsa hetimet janë ende në fazat paraprake, burime pranë organit të akuzës nuk përjashtojnë mundësinë e shtrirjes së hetimeve edhe mbi zyrtarë të nivelit të lartë të institucioneve publike që kanë qenë pjesë e procedurave të prokurimit apo kanë firmosur kontratat me këto kompani.
Situata mbetet në zhvillim, ndërkohë që pritet që SPAK të dalë me një qëndrim zyrtar mbi natyrën e hetimeve dhe akuzat që mund të rëndojnë mbi biznesmenët dhe zyrtarët e përfshirë.