Banorët e qytetit të Pukës janë duke u përballur çdo ditë me problemin e qenve të rrugës, të cilët herë pas here mblidhen në tufa dhe bëhen agresivë.
Një qytetare ka treguar për redaksinë tonë se qentë janë shëndrruar në një problem të vërtetë, pasi banorët nuk lëvizin dot të qetë as ditën as natën.
“Janë 30 qen endacakë. Dje patëm një situatë emergjente duhet të dërgonim një person në spital, për shkak se qentë ishin shumë agresivë nuk dolëm dot jashtë,” shkruan ajo.
Sipas denoncueses, ky është vetëm një nga shumë rastet që ndodhin thuajse çdo ditë në rrugët e qytetit.
“Bashkia Pukë duhet të marrë masa urgjente për të rehabilituar qentë endacakë në mënyrë që siguria e qytetarëve të jetë e garantuar. Ne nuk mund të vazhdojmë që të jetojmë me frikë dhe rrezik për jetën,” shkruan qytetarja.
Qytetarët kërkojnë që të merren masa dhe që situata të ndryshojë.