Personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Genard Hajdini, dhe babai i tij Paqsor Hajdini janë dhunuar fizikisht nga një person ende i paidentifikuar në orët e para të mëngjesit të 3 gushtit, në një lokal pranë rrugës “Bardhyl” në Tiranë.
Sipas informacioneve, ngjarja ndodhi rreth orës 01:00, kur Hajdini ndodhej në lokal bashkë me të atin. Të dy janë goditur me grushte në fytyrë nga agresori, i cili më pas është larguar nga vendngjarja.
Pas incidentit, Genard Hajdini dhe babai i tij u transportuan në Spitalin e Traumës, ku morën ndihmën e parë mjekësore. Fatmirësisht, gjendja e tyre nuk paraqitej në rrezik për jetën.
Nga ambientet e spitalit, vetë Hajdini ka ndarë një video ku shprehet përmes humorit të tij karakteristik, pavarësisht situatës së rëndë
“Na rrafi njëri na bëri peshk fare, ishte i fortë, i fortë i dheut. Po fajin e kishte dhe çik baba se foli me zë të lartë. Po dhe ai vetë e krujti se i ra babës me grusht të parit.”
Pas daljes nga spitali, ai ka bërë denoncim në polici, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ngjarja ka ngjallur reagime në rrjet, ndërsa ndjekësit e Genardit kanë shprehur mbështetje për të dhe të atin.