Dy ditë më parë JOQ Albania tregoi me pamje se si vrojtuesi i një plazhi në Tale të Lezhës u bënte me shenjë pushuesve që të dilnin nga deti, pasi era e fortë trazoi ujërat duke rritur rrezikun për mbytjen e pushuesve.
Pavarësisht paralajmërimeve dhe fryrjes së një pas njëshme të bilbilit, si sinjal që pushuesit duhet të dalin nga uji, askush prej këtyre të fundit nuk doli. Ky denoncim shkaktoi shumë reagime, ku qytetarët i dhanë të drejtë vrojtuesve, duke komentuar se ata janë duke bërë detyrën e tyre dhe duke shtuar se pushuesit duhet të ndërgjegjësohen.
Por duket se pushuesit vazhdojnë përsëri me kokëfortësinë e tyre, duke rrezikuar jetën në ujërat me dallgë të rrezikshme. Sot një vrojtues plazhi në Qerret të Kavajës është përballur me një situatë të ngjashme.
Pavarësisht se në kullat e vrojtimit ishin ngritur flamujt e kuq, dhe vrojtuesit po u binin vazhdimisht bilbilave si paralajmërim se pushuesit duhet të dalin nga uji, përpjekjet ishin të kota. Asnjë pushues nuk i dëgjoi vrojtuesit dhe paralajmërimet e tyre.
Kështu njëri prej vrojtuesve mori telefonin dhe bëri këtë video për të shpjeguar situatën në plazhe. “Nuk na dëgjojnë fare pushuesit,” thotë ai ndër të tjera.
Njerëz, vrojtuesit janë aty për të mbrojtur jetën tuaj! Kur ata bëjnë shenjë që duhet të dilni nga uji duhet të bindeni dhe jo të luani kokëfortin me dallgët e detit. Natyrisht kjo këshillë vlen për ata që e duan jetën e tyre.